Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë “Përmirësimi i Sigurisë dhe Mbrojtjes së Gazetarëve”, ku foli për ndërveprimin mes institucioneve dhe mediave, duke theksuar rëndësinë e transparencës, komunikimit dhe respektimit të interesit publik.
Gjatë diskutimeve, Metani prezantoi statistika nga puna 5-vjeçare e ILD-së, ku mediat janë shfaqur si burim i rëndësishëm informacioni për nisjen e verifikimeve dhe hetimeve disiplinore. Ai bëri të ditur se në këtë periudhë janë nisur 12 hetime disiplinore me indicie të marra nga media, që kanë përfshirë 13 persona: 6 gjyqtarë, 6 prokurorë dhe 1 anëtar të një Këshilli.
Nga këto, 11 magjistratë janë dërguar për procedim disiplinor në Këshillat Përkatës (KLGJ dhe KLP), ku ILD ka kërkuar në 7 raste masën më të rëndë – shkarkimin nga detyra. Këshillat kanë pranuar kërkesën në 5 raste, një magjistrat është pezulluar për 6 muaj dhe një rast mbetet në shqyrtim nga KPA. Ndërkohë, në 4 raste të tjera ILD ka kërkuar “vërejtje publike”, por vetëm një është pranuar.
Metani tha gjithashtu se mediat kanë paraqitur 17 ankesa formale për shkelje disiplinore gjatë këtyre viteve, ku janë marrë 11 vendime konkrete – përfshirë 2 hetime disiplinore të përfunduara. 6 ankesa të tjera janë ende në shqyrtim.
Për sa i përket transparencës, ILD ka marrë 46 kërkesa për informacion nga media. Vetëm në 6 raste, informacioni është kufizuar për shkak të detyrimeve ligjore dhe konfidencialitetit të hetimeve. Metani përgëzoi median për respektimin e këtij konfidencialiteti, që, sipas tij, garanton integritetin e procesit dhe mbron reputacionin e magjistratëve kur akuzat nuk qëndrojnë.


