Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, zhvilluan një telefonatë mbi dy orëshe, ku diskutuan për mundësinë e një armëpushimi në Ukrainë dhe çështje të tjera ndërkombëtare.
Gjatë një deklarate për shtyp në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, Trump ndau një moment të veçantë nga biseda me Putinin, duke zbuluar se presidenti rus i kishte shprehur vlerësim për Zonjën e Parë, Melania Trump. “Putini më tha: ‘Rusët e respektojnë shumë gruan tënde.’ Kur e pyeta ‘Po mua?’, ai tha: ‘Ata e pëlqejnë më shumë Melanian’”, tregoi Trump me humor.
Në të njëjtën dalje për mediat, presidenti amerikan nënshkroi Aktin “Take It Down”, një ligj që ndalon shpërndarjen e imazheve të njerëzve pa pëlqimin e tyre.
Trump gjithashtu lavdëroi Melania Trump për kontributin e saj në fushat sociale, veçanërisht për angazhimin në mbështetje të të rinjve që dalin nga sistemi i kujdesit familjar, duke theksuar se ajo kishte ndihmuar në sigurimin e 25 milionë dollarëve për këtë kauzë.


