Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot një tjetër video nga ndërhyrjet e fundit në kryeqytet, pjesë e aksionit kombëtar për lirimin e hapësirave publike. Pamjet tregojnë pastrimin e trotuareve dhe heqjen e strukturave të paligjshme që kishin zënë hapësira të përbashkëta, duke i kthyer ato për përdorim qytetar.
Në postimin e tij, Rama ka theksuar se ky proces është pjesë e vizionit për “Shqipërinë 2030” – një vend i gatshëm për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ai nënvizon rëndësinë e krijimit të më shumë hapësirave të lira, uljes së ndotjes, shtimit të gjelbërimit dhe ndërtimit të këndeve komunitare, duke synuar qytete më të pastra, më të bukura dhe më europiane.
“Më shumë hapësira të lira e më pak ndotje në çdo komunitet si fillim, e pastaj më shumë gjelbërim, më shumë kënde komunitare, më shumë aktivitet ekonomik të formalizuar dhe qytete më të gatshme për Shqipërinë 2030 në BE,” shkruan Rama.
Sipas tij, ky aksion nuk është vetëm një masë urbanistike, por edhe një hap drejt modernizimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës në qytetet shqiptare.


