Një vilë njëkatëshe me pishinë dhe një truall me sipërfaqe 1,050 m² në Durrës janë sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e cila ka lënë në fuqi masën e mëparshme të vendosur nga shkalla e parë.
Pasuritë janë në pronësi të Luan Kërtallit dhe dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i dy djemve të tij, Enkel dhe Morel Kërtalli. Të dy ndodhen nën hetim për disa vepra penale, përfshirë “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.
Përveç kësaj, dy vëllezërit janë përfshirë edhe në një procedim penal të nisur në vitin 2017, ku dyshohen për “Vrasje në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë” si dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. Ata akuzohen për një atentat ndaj shtetasit Dash Gjoka në zonën e Xhafzotajt.

Në vitin 2022, Enkel dhe Morel Kërtalli u arrestuan në Spanjë, pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Pasuritë e sekuestruara i janë dorëzuar tashmë Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (APSK).


