Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Durrës, ku një 32-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, mbeti e plagosur rëndë me thikë në banesën e saj.
E plagosura, e cila jetonte me qira në katin e dytë të një pallati 3-katësh në lagjen nr. 16, arriti të zbriste vetë shkallët pas sulmit, por u rrëzua pranë derës së katit të parë, ku u gjet nga fqinjët.
Një prej banoreve të zonës ka rrëfyer momentet e frikshme kur dëgjoi thirrjet për ndihmë në orët e para të mëngjesit.
“Dëgjova një zë të thellë që thoshte ‘Ndihmë, ndihmë!’. Dola te dera dhe ajo më tha: ‘Ndihmë se më kanë çarë me thikë’. Në fillim nuk po e njihja dot, ishte e larë në gjak”, ka treguar fqinja e tronditur.
Sipas saj, pas momentit kur gjeti të plagosurën, u njoftuan menjëherë ambulanca dhe policia, ndërsa gruaja u transportua në spital. Aktualisht ajo ndodhet në reanimacionin e Spitalit të Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.
Fqinja ka deklaruar se nuk kishte dijeni nëse autor i dyshuar ishte ish-bashkëshorti i 32-vjeçares, por bëri të ditur se çifti ishte i divorcuar dhe se ish-burri jetonte në Elbasan.
Sipas banorëve të zonës, gruaja njihej si një person i qetë, që punonte çdo ditë dhe nuk kishte dhënë më parë shenja konfliktesh. Fëmijët e saj jetonin me familjarët.
Ndërkohë, burime policore bëjnë me dije se nga hetimet paraprake dyshohet se çifti kishte tentuar të rikthehej bashkë pas ndarjes, por një konflikt mes tyre gjatë natës ka përfunduar me ngjarjen e rëndë.
Policia ka nisur kërkimet për 40-vjeçarin Xhoni Karaj, i dyshuar si autor i plagosjes, i cili dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas sulmit.
Grupet hetimore po punojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, ndërsa vijojnë kontrollet për kapjen e të dyshuarit.


