Tirana është kthyer në qendrën e vëmendjes për mijëra fansa nga Shqipëria dhe jashtë saj, teksa përgatitjet për koncertin e Kanye West kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Në “Eagle Stadium” në Kashar po vendosen elementët e fundit për eventin që pritet të jetë një nga koncertet më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë në vend. Dyert e stadiumit do të hapen të shtunën në orën 17:00, ndërsa organizatorët presin rreth 60 mijë spektatorë për një përvojë që synon të shkojë përtej një performance muzikore.
“Do të ketë 30 mijë vende në këmbë dhe 30 mijë vende ulur. Do të ketë sinjalistikë të qartë për hyrjet dhe daljet. Kërkojmë edhe bashkëpunimin e publikut që të vijë më herët, pasi bëhet fjalë për një aktivitet të përmasave të mëdha”, u shpreh Gerhard Veizi, këshilltar i eventeve në MTKS.
Koncerti ka sjellë një fluks të konsiderueshëm turistësh në kryeqytet. Vizitorë nga vende të ndryshme kanë mbërritur në Tiranë jo vetëm për të ndjekur performancën e artistit amerikan, por edhe për të eksploruar qytetin.
“Erdhëm këtu për koncertin e Kanye West”, u shpreh një turiste e huaj, ndërsa një tjetër vizitor tha se krahas muzikës së tij dëshironte të njihte edhe më shumë Tiranën.
Përveç ndikimit kulturor, eventi pritet të ketë edhe efekt ekonomik. Sipas ekspertëve të tregut të pasurive të paluajtshme, gjatë ditëve të koncertit është vënë re rritje e kërkesës për qira afatshkurtra në kryeqytet.
“Ka më shumë kërkesa për qiratë ditore dhe këtë e kemi vënë re në çdo aktivitet të madh që zhvillohet në Tiranë. Ngjarje të tilla sjellin turistë dhe krijojnë mundësi për zhvillimin e tregut”, deklaroi agjenti imobiliar Ervin Demirxhiu.
Koncerti i Kanye West shihet si një mundësi e rëndësishme për promovimin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare, duke dëshmuar potencialin e vendit për të pritur evente të mëdha kulturore dhe artistike.


