Një efektiv i Policisë Rrugore në Kukës, 25-vjeçari Qazim Dogjani, është dhunuar nga disa persona në rrugën drejt fshatit Pobreg, në një incident që dyshohet të jetë i lidhur me detyrën e tij.
Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00, kur efektivi ndodhej jashtë shërbimit dhe njoftoi sallën operative se ishte konfliktuar fizikisht me disa individë. Pas ngjarjes, ai u paraqit në Prokurorinë e Kukësit për të dhënë kallëzim zyrtar lidhur me dhunën e ushtruar ndaj tij.
Sipas njoftimit të Policisë, një nga personat që sulmuan efektivin është identifikuar dhe rezulton se më herët kishte debatuar me të për shkak të detyrës së tij si punonjës i qarkullimit rrugor.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e të gjithë autorëve të përfshirë në këtë ngjarje.
“Rreth orës 17:00, Inspektor Q.D, punonjësi i Policisë Rrugore në DVP Kukës, ka njoftuar se në rrugën për në fshatin Pobreg, është konfliktuar fizikisht me disa persona për shkak të detyrës. Punonjësi i Policisë aktualisht është duke dhënë kallëzim pranë Oficerit të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë. Nga veprimet e para është identifikuar njëri prej personave që punonjësi i Policisë ka debatuar për shkak të detyrës ditë më parë”, njoftoi policia.


