GREQI– Janë zbardhur detaje të reja nga vdekja e 19-vjeçares shqiptare në ishullin grek të Kefalonisë. Autoritetet greke kanë përshkallëzuar akuzat ndaj tre të rinjve të përfshirë, duke e rikualifikuar çështjen nga shkelje dhe ekspozim në “vrasje me dashje përmes mosveprimit”, duke i dhënë një peshë shumë më të rëndë hetimit.
Kjo ngjarje ka ndodhur në Argostoli, ku 19-vjeçarja, të cilës mediat greke i referohen si Myrto, u gjet pa ndjenja në një shesh qendror në orët e para të mëngjesit. Ajo u transportua me urgjencë në spitalin e ishullit, ku mjekët luftuan për rreth një orë për ta rikthyer në jetë, por pa mundur ta shpëtonin.Sipas hetimeve, gjithçka nisi në një dhomë hoteli, ku e reja kishte shkuar rreth mesnatës me një 23-vjeçar. Më pas, në ambient janë bashkuar edhe dy persona të tjerë, një 26-vjeçar dhe një 22-vjeçar shqiptar. Dyshohet se gjatë natës janë konsumuar lëndë narkotike, madje sipas dëshmive kjo ka ndodhur në më shumë se një rast.
Në një moment, 19-vjeçarja ka humbur ndjenjat. Por, sipas aktakuzës, në vend që t’i jepnin ndihmën e nevojshme apo ta transportonin menjëherë në spital, tre të rinjtë nuk ndërhynë. Përkundrazi, ata dyshohet se e nxorën nga hoteli dhe e transportuan drejt qendrës së qytetit. Pamjet e kamerave të sigurisë konsiderohen prova kyçe në këtë çështje. Në to, një prej të dyshuarve, 26-vjeçari, i cili është edhe sportist i peshave të rënda, shihet duke e mbajtur vajzën pa ndjenja në krahë, ndërsa dy të tjerët e shoqërojnë. Ata e lënë në gjendje të rëndë pranë sheshit dhe largohen, duke e braktisur pa asnjë ndihmë.
Bazuar në atë që ka rezultuar nga ekzaminimet paraprake mjeko-ligjore, shkaku i vdekjes lidhet me arrest kardiak pas edemës pulmonare. Ndërkohë, analizat toksikologjike pritet të hedhin më shumë dritë mbi përdorimin e mundshëm të lëndëve narkotike dhe rolin e tyre në këtë ngjarje.
Si fillim tre të arrestuarit u akuzuan për shkelje të ligjeve për drogën dhe ekspozim, por më pas akuza u rëndua në “vrasje me dashje përmes mosveprimit”, sipas dispozitave të Kodit Penal grek. Të tre, të moshave 26, 23 dhe 22 vjeç, dolën sot (të premten) në orën 10:00, ku u përballën me akuzat e reja dhe dhanë shpjegime për ngjarjen.
Ndërkohë, familja e 19-vjeçares është në gjendje shoku dhe dhimbjeje të thellë, duke kërkuar zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe drejtësi për vajzën e tyre.
Babai i saj, në një deklaratë rrëqethëse për mediat greke, u shpreh: Fëmija im nuk ishte i tillë, mund ta kenë ndikuar, mund t’i kenë hedhur diçka, ta kenë bërë të varur prej tyre. Fëmijën tim, nga ora 3 deri në 5, e kishin hedhur në trotuar dhe po jepte shpirt, as qenit nuk i bëhet kështu. Nuk ekzistoj më, mbarova. Një fjalë vetëm: nuk ekzistoj. M’u shemb toka nën këmbë, humba qiellin me yjet mbi kokë. Nuk ekzistoj. Do më shihni pas disa ditësh që s’do ekzistoj më. Vajza ime e vogël, ky filiz, ky engjëll. Fëmija im ishte i pastër, nuk kishte lidhje me drogë dhe me pije. Shkollë dhe shtëpi, ndonjëherë dilte për kafe me shoqet. Gjëra normale. Unë besoj se e mashtruan me qëllim, e morën, i hodhën diçka në pije dhe i ndodhi ajo që i ndodhi. Ishte e hedhur në rrugë. Nga sa tregojnë kamerat dhe nga sa dëgjoj, e morën tre persona, njëri e mbante në krahë, të tjerët e hodhën dhe u larguan.
Ndërsa nëna e saj tregoi: Unë e njihja atë djalin dhe i kisha thënë vajzës ‘nuk më pëlqen’. Ajo më tha ‘aman mami, çdo gjë të duket gabim’. I thashë ‘nuk dua të të prish qejfin’. Më tha ‘lëre mami, gjithçka e sheh gabim’”.
Në ceremoninë mortore, dhimbja arriti kulmin. Babai i saj, mes lotësh, deklaroi: Është një grup i organizuar, i cili mund të ketë pasur një udhëheqës, mund të ketë pasur një zëvendëskryetar, mund të ketë pasur ndihmës, mund të ketë pasur aktorë, nuk e di se çfarë mund të ketë pasur. Më kurseni, mos lejoni ta fyejnë fëmijën tim. Sot kam si dasmën ashtu edhe funeralin e vajzës sime. E vesha si nuse dhe shkova i fola dhe i thashë ‘fëmija im, ja ku jam. I kisha premtuar të të shoqëroja. Në vend që të të çoja te i dashuri yt, po të çoj te Haros. Më shkatërrove, vajza ime!/Radar.al


