Një seri vdekjesh dhe zhdukjesh të personave me akses në sekrete të ndjeshme bërthamore dhe hapësinore ka ngritur shqetësime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku që nga viti 2023 janë raportuar të paktën 10 raste në rrethana të paqarta.
Ngjarjet kanë shkaktuar debat publik dhe spekulime, ndërsa disa prej personave të zhdukur nuk kanë lënë asnjë gjurmë. Donald Trump reagoi duke e cilësuar situatën “shumë serioze”, duke paralajmëruar se mund të ketë më shumë qartësi në ditët në vijim.
Mes rasteve më të komentuara është zhdukja e gjeneral-majorit në pension të Forcave Ajrore, William Neil McCasland, i parë për herë të fundit në New Mexico.
Raportohet gjithashtu zhdukja e kontraktorit qeveritar Steven Garcia, si dhe e dy punonjësve të Laboratori Kombëtar Los Alamos, Anthony Chavez dhe Melissa Cassias.
Në listë përfshihet edhe zhdukja e Monica Jacinto Reza, si dhe vdekjet e disa studiuesve të lidhur me programin NASA DART.
Dy shkencëtarë, Karl Grillmayr dhe Nuno Loureiro, raportohet se janë vrarë në rrethana të dhunshme, duke shtuar dyshimet për një model të mundshëm kriminal ose spiunazh.
Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë ende një shpjegim të plotë për rastet, ndërsa hetimet dhe debatet mbi sigurinë kombëtare vijojnë.


