Komisioni Parlamentar për Reformën Territoriale u mblodh sot, duke shënuar rikthimin e opozitës në punimet e tij pas disa javësh bojkot.
Vetëm një ditë më parë, përfaqësues të Partisë Demokratike, mes tyre Luçiano Boçi, morën pjesë në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë dhe Kuvendit, ku pati edhe incidente me hedhje fishekzjarrësh dhe molotovësh në drejtim të institucioneve dhe Policisë. Ndërsa sot, deputetët e opozitës u ulën në tryezë me përfaqësuesit e mazhorancës për vijimin e diskutimeve mbi reformën.
Në fjalën e tij, Boçi theksoi se marrëdhëniet mes opozitës dhe mazhorancës mbeten të tensionuara, duke kërkuar një proces realisht konsensual. “Marrëdhëniet në Kuvend nuk janë në normalitet për shkak të sjelljes së mazhorancës. Nëse nuk ka produkt konsensual, atëherë kjo tregon mungesë gatishmërie për të pranuar variante të tjera”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i mazhorancës, Arbjan Mazniku, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit për realizimin e reformës, duke e lidhur atë me procesin e integrimit europian. Sipas tij, periudha 2027–2029 kërkon bashki funksionale, të afta jo vetëm për të ofruar shërbime për qytetarët, por edhe për të tërhequr financime dhe projekte nga Bashkimi Europian.
Mbledhja e sotme u shty, ndërsa takimi i radhës u caktua për ditën e hënë.


