Përkeqësimi i motit dhe afrimi i dimrit kanë ndikur goxha dhe në përkeqësimin e simptomave epidemologjike në vend.
Në ISHP, raportimet javore të qendrave shëndetësore në vend flasin për mbi 10 400 pacientë të prekur nga virozat dhe infeksione të tjera respiratore.
“Trendi i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme ka paraqitur rritje dhe është një situate normale dhe e pritshme për stinën. Numri javor i personave të cilët paraqiten në qendrat shëndetësore është rreth 10 400 persona, që është i njëjti numër si vitin e kaluar”, shprehet epidemiologu Artan Simaku.
Sipas ISHP ende nuk është kapur rasti i parë me virusin e gripit, po ashpërsia e gripit këtë vit pritet të jetë e njëjtë me atë të vitit të shkuar.
“Nuk kemi vërtetuar raste të konfirmuara me grip. Kurba fillon rritjen në muajin dhjetor për të arritur pikun në fund të muajit janar dhe në fillim të muajit shkurt,” tregon specialisti i ISHP-së.
Qarkullimi gjithëvjetor i COVID-19 do të bëjë që edhe këtë sezon të shohim ngjashmëri simptomash mes covid dhe gripit, ku identifikimi i nënvariantit më të ri të Omicronit XEC i përhapur më shpejtësi së fundmi në Europë të jetë sfidë për mjekët.
ISHP njofton se do nisë këto ditë fushatën e vaksinimit ndaj gripit.


