ELBASAN– Në aksin rrugor Librazhd-Elbasan është bllokuar qarkullimi nga protestuesit, ndërsa policia ka shoqëruar disa prej tyre në komisariat.
Bëhet fjalë për banorët e fshatit Mirakë të cilët sot bllokuan aksin nacional Elbasan-Librazhd në shenjë proteste për rreth 30 minuta.
Motivi i protestës së tyre është fakti se teksa po ndërtohej rruga kryesore nuk është parashikuar një rrugë dytësore që t’iu bëjë të mundur banorëve hyrjen në fshat.
Qytetarët i janë drejtuar Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) për të marrë një zgjidhje lidhur me problemin e tyre, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucioni. Në këto kushte, ata kanë deklaruar se do të vijojnë protestat deri në zgjidhjen e problemit duke bllokuar çdo ditë aksin nacional.


