Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa të rrepta sigurie për protestën qytetare të parashikuar për ditën e sotme përpara Parlamentit, ku pritet të zhvillohet edhe seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar.
Raportohet se uniformat blu kanë ngritur dy perimetra të sigurisë me qëllim menaxhimin e situatës.
Bllokimi fillon nga qendra tregtare “Toptani” deri përgjatë Rrugës së Elbasanit, duke e bërë të pamundur lëvizjen e kalimtarëve në segmentin që të çon drejt godinës së Kuvendit.
Për të parandaluar çdo incident, në terren janë angazhuar mjete dhe forca të shumta policore, ku katër furgonë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, FNSH, janë në gatishmëri të plotë pranë zonës së protestës, si dhe është vendosur edhe një autobot uji për shpërndarjen e turmave në rast tensionimi të situatës.
Policia po monitoron me vëmendje të gjitha akset kryesore përreth Parlamentit deri në përfundim të seancës plenare.


