Legjenda e Real Madridit, Marcelo, ka zbuluar futbollistin e Barcelonës që ai do të dëshironte ta shihte të veshur me fanellën e “Los Blancos”. Sipas brazilianit, zgjedhja e tij është mesfushori Pedri.
“Për momentin do ta nënshkruaja Pedrin për Real Madridin. Ai ka disa nga cilësitë që kërkohen për të luajtur në këtë klub. Shumë do të thoshin Lamine Yamal, por mendoj se Pedri do të ishte një transferim më i mirë,” u shpreh Marcelo.
Në moshën 23-vjeçare, Pedri është konsoliduar si një nga mesfushorët më të mirë të Barcelonës dhe të futbollit botëror, falë qëndrueshmërisë, inteligjencës taktike dhe kreativitetit të lartë në fushë. Cilësitë e tij do ta bënin titullar pothuajse në çdo skuadër, përfshirë edhe rivalin e përjetshëm, Real Madridin.
Sipas Marcelos, një lojtar i profilit të Pedrit do t’i sillte Realit më shumë kontroll të lojës dhe ide në fazën ofensive.
Ish-mbrojtësi madrilen foli gjithashtu edhe për Kupën e Botës, duke e cilësuar Brazilin si një nga favoritët kryesorë. “Është një Botëror ku shumë ekipe janë në nivel të lartë: Franca, Brazili, Spanja… janë rreth pesë kombëtare që mund ta fitojnë. Kini kujdes nga Brazili dhe Ancelotti,” tha ai.
Marcelo e quajti Brazilin “Real Madridi i ekipeve kombëtare”, duke shtuar se Neymar duhet të rikthehet në nivelet më të larta. “Futbolli i ka borxh diçka të madhe Neymarit dhe Cristianos,” përfundoi ai.


