Kandidati demokrat Aulon Kalaja ka depozituar sot në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) prova të reja që sipas tij dëshmojnë manipulimin e votave në qarkun e Durrësit. Ai kërkon shpalljen të pavlefshme të rezultatit dhe rinumërimin e mbi 500 kutive të votimit.
Në seancën e sotme në KAS, Kalaja u shpreh se jo vetëm atij, por edhe 13 kandidatëve të tjerë u janë devijuar votat. Përfaqësuesi i tij ligjor solli shembuj konkretë nga pamjet filmike të siguruara nga KQZ, ku rezulton se kandidatit të listës së hapur, Arjan Ndoja, i janë shtuar vota në mënyrë të përsëritur në disa qendra votimi.
“Në një qendër votimi në KZAZ nr. 21, kutia 1361, rezultojnë 4 vota për Aulon Kalanë, por në procesverbal janë pasqyruar vetëm 2. Për Arjan Ndojën nga 20 vota që shfaqen në ekran, në tabelën përfundimtare janë 25. Kemi raste të ngjashme në të paktën 69 kuti që kemi verifikuar,” deklaroi përfaqësuesi i Kalasë.
Kalaja theksoi se nisma e tij nuk ka të bëjë me marrjen e një mandati, por me transparencën zgjedhore.
“Nuk po e bëj për interes personal, por për të vendosur një standard për të gjithë kandidatët. Këto janë vota të pavlefshme për mua dhe të shtuar artificialisht për dikë tjetër. A nuk ju bën përshtypje?”, tha ai.
Pas seancës dëgjimore, KAS vendosi të shtyjë vendimin për një moment të dytë.


