TIRANË– Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka ngritur akuza ndaj qeverisë dhe Kryetares së Kuvendit, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës dhe përjashtim të opozitës nga procesi i konsultimit me Komisionin e Venecias për çështjen e mandatit të ish-ministres, Olta Xhaçka.
Sipas Bardhit drafti i opinionit të Komisionit të Venecias u është komunikuar vetëm deputetëve të Partisë Socialiste, duke lënë jashtë 3 grupet e opozitës nga mundësia për të dhënë komentet e tyre përpara diskutimeve.
“Drafti iu është paraqitur ju zyrtarisht dhe në shkelje flagrante të pozicionit tuaj, ju keni bërë me dije Grupin e PS, ndërkohë që tre grupet e opozitës nuk i keni vënë në pozicion draftin që në këtë kemi mundësi përpara diskutimeve të çojmë komentet tona. Ju mund t’ju mos ketë pëlqyer, ndaj e keni mbajtur të fshehur.”-deklaroi Bardhi.
Ndër të tjera demokrati tha se delegacioni i ngritur nga Kuvendi është vetëm me deputetë të PS-së.
“Për herë të parë në historinë e Kuvendit, delegacioni përfaqësues në Komisionin e Venecias përbëhet vetëm nga deputetë të mazhorancës. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë, pasi gjithmonë ka pasur përfaqësues të balancuar mes mazhorancës dhe opozitës. A jemi shpallur armiq të popullit nga partia në pushtet? Keni për qëllim ta shpallni Shqipërinë njëpartiake?”
Ndërsa Spiropali mohoi ekzistencën e një dokumenti zyrtar nga Komisioni i Venecias./Radar.al


