Nëse nata ju është kthyer në një “film horror” me makthe të njëpasnjëshme, shkaku mund të jetë më afër se sa mendoni – pikërisht në pjatën tuaj të darkës. Një studim i fundit nga Kanada ka zbuluar një lidhje të fortë mes intolerancës ndaj laktozës dhe ëndrrave të këqija.
Sipas Dr. Tore Nilsen nga Universiteti i Montrealit, personat që vuajnë nga intoleranca ndaj laktozës ose alergji ushqimore kanë më shumë gjasa të përjetojnë makthe. “Ndryshimi i zakoneve të të ushqyerit mund të ndihmojë në lehtësimin e maktheve,” tha ai.
Studiuesit anketuan mbi 1,000 studentë në Universitetin McEwan, duke analizuar zakonet e tyre të gjumit dhe të ushqyerit. Rreth një e treta e pjesëmarrësve raportuan makthe të shpeshta – kryesisht gra, të cilat ishin më të ndjeshme ndaj ushqimeve dhe më të prira për të kujtuar ëndrrat.
Intoleranca ndaj laktozës mund të shkaktojë simptoma të pakëndshme si fryrje, gazra apo dhimbje barku – faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e gjumit. Prandaj, nëse jeni të ndjeshëm ndaj bulmetit, heqja e djathit nga darka mund të bëjë diferencën mes një gjumi të qetë dhe një nate plot ankth.
Ekspertët theksojnë rëndësinë e gjumit cilësor për mirëqenien fizike dhe mendore, veçanërisht në një kohë kur shumë njerëz përballen me shqetësime të shumta – nga ndotja e dritës deri te stresi dhe ritmi i ngarkuar i jetës.
Pra, herën tjetër që mendoni për një vakt të lehtë në darkë, ndoshta është mirë të lini djathin në frigorifer…


