Jarosh është i zhgënjyer edhe nga përpjekjet e pafrytshme diplomatike. Përfaqësuesit e ambasadës gjermane në Hungari e vizituan Maja T. disa herë në burg dhe morën pjesë në gjyq si vëzhgues. Përveç kësaj ministri i Jashtëm Johann Wadephul njoftoi në korrik 2025 se kishte ndërmend të avokonte për kushte më të mira burgimi. Me sa duket pa sukses.
Mund të mbështetet Maja T. në premtimet e Hungarisë?
Jarosh pothuajse e ka humbur shpresën për një vendim të drejtë. Nëse Maja T. do ta apelojë një dënim të gjatë me burg, është ende e paqartë, thotë i ati. Në rast se vendimi kundërshtohet, fëmija i tij fillimisht do të duhet të qëndrojë në Hungari. Por nëse vendimi i gjykatës së parë pranohet, Maja T. mund të transferohet në një burg gjerman.
Jarosh tha se për këtë ka tashmë premtime. “Unë vetëm mund të shpresoj, që pala hungareze do ta mbajë fjalën lidhur me rikthimin e premtuar.”
Por ai ka dyshime, sepse as premtimi për përmirësimin e kushteve të burgjeve në Budapest nuk është mbajtur.
“Do të merret një vendim politik”
Eurodeputeti gjerman Martin Schirdewan, i cili e ka vizituar disa herë Maja T. në burg, pret më të keqen: “Do të merret një vendim politik”, mendon politikani i partisë E Majta në një intervistë për DW, duke iu referuar mangësive të sundimit të ligjit në Hungari. Për shkak të shkeljes së përsëritur të vlerave themelore në fillim të vitit 2025 Komisioni Evropian i shkurtoi Hungarisë, mbi një miliardë euro nga fondet për rajonet me strukturë të dobët.
Prognoza pesimiste e Schirdewan rezulton edhe nga ajo, që ka parë si spektator në sallën e gjyqit: Prokuroria ka kërkuar që vendimi të jetë “i ashpër dhe të shërbejë si shembull”. Schirdewan ngre akuza të ashpra edhe kundër Komisionit Evropian dhe qeverisë gjermane: Të dyja nuk kanë ndërhyrë publikisht dhe me forcë.
Prova të dyshimta nga kamerat e sigurisë
Në deklaratën e tij përfundimtare avokati mbrojtës hungarez i Maja T., Tamás Bajaky, kritikoi kryesisht qendrimin e prokurorisë. Ai i konsideron krejtësisht të papranueshme si prova, video-regjistrimet e sulmeve të dhunshme ndaj neonazistëve, të treguara gjatë gjyqit, që ishin marrë nga kamerat publike të sigurisë.
Prokuroria pretendon se në një fragment ka identifikuar si Maja T. një person të maskuar. “Ky person kalon aty pranë, kthehet dhe largohet përsëri nga vendi i ngjarjes. Ky person nuk ka shkop gome, nuk sulmon ose godet askënd dhe nuk shkakton asnjë lëndim”, deklaroi Bajaky në një njoftim për shtyp, të lëshuar pas pretencës së tij përfundimtare.
Nëse gjyqtari József Sós do të ndikohet nga kjo dhe do të japë një dënim më të butë nga sa kërkon prokuroria, do të mësohet më 4 shkurt./DW


