FRANCË– Emmanuel Macron, Presidenti i Francës ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij iranian, Masoud Pezeshkian, në përpjekje për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme dhe për të rifilluar negociatat për marrëveshjen bërthamore.
Sipas Elysee, Macron i ka kërkuar Iranit që të tregojë “përmbajtje maksimale” për të shmangur përshkallëzimin e situatës dhe e ka ftuar zyrtarisht Teheranin të rikthehet sa më parë në tryezën e bisedimeve bërthamore. Por, presidenti iranian Pezeshkian ka refuzuar mundësinë e çdo negociate për sa kohë që Izraeli vazhdon sulmet ndaj territorit iranian.
“Irani nuk do të ulet në asnjë tryezë negociatash ndërkohë që vendi ynë është nën sulm.”- mësohet të ketë thënë Pezeshkian gjatë bisedës, sipas burimeve diplomatike iraniane.
Biseda vjen vetëm pak orë pasi u anulua zyrtarisht takimi i planifikuar për të dielën midis përfaqësuesve të SHBA-së dhe Iranit, i cili kishte për qëllim rifillimin e bisedimeve rreth marrëveshjes bërthamore./Radar.al


