Ndryshe nga shumica e qyteteve të Britanisë ku mafia shqiptare ka fituar terren të fuqishëm në tregun e drogës, Liverpuli mbetet një bastion i pakalueshëm për grupet shqiptare të krimit të organizuar. Sipas një investigimi të Daily Mail, bandat lokale ruajnë me fanatizëm kontrollin e trafikut të drogës në qytet, duke refuzuar hapur çdo bashkëpunim me trafikantët shqiptarë, të njohur për çmimet e ulëta, organizimin e sofistikuar dhe përdorimin brutal të dhunës.
Seriali i BBC-së “This City Is Ours” pasqyron këtë realitet përmes një skene ku një bosi i drogave në Liverpul refuzon kategorikisht ofertën për të bashkëpunuar me trafikantë shqiptarë, me argumentin se “nëse i fut, nuk largohen më kurrë”.
Prova reale nga bisedat e dekriptuara të rrjetit të komunikimit EncroChat tregojnë se kriminelët lokalë, si vëllezërit Vincent dhe Francis Coggins të bandës famëkeqe Huyton Firm, e kanë përjashtuar me kujdes çdo bashkëpunim me grupet shqiptare, madje i kanë etiketuar si “të lodhshëm” dhe të padëshiruar.
Një burim nga Liverpuli konfirmon këtë qasje: “Në këtë qytet, nuk ka vend për shqiptarët. Nëse përpiqen të hyjnë me forcë, do të përballen me luftë të hapur”.
Sipas ekspertëve, kontrolli i portit të Liverpulit u jep bandave lokale një avantazh strategjik, duke i mbajtur jashtë lojës aktorët e huaj, përfshirë dhe rrjetet shqiptare që dominojnë pjesën tjetër të Britanisë. Për kriminelët liverpulas, kontrolli i qytetit është çështje jete a vdekjeje – një qëndrim i përmbledhur qartë në fjalët e Francis Coggins:
“Qyteti është i imi ose vdes.”


