Dhjetëra mijëra protestues kanë mbushur rrugët e Londrës këtë të shtunë, në një ditë të shënuar nga dy protesta rivale dhe një prani masive policore, mes frikës për përplasje dhe trazira.
Njëra nga protestat, e lidhur me figurën e ekstremit të djathtë Tommy Robinson, mblodhi mijëra qytetarë në marshimin “Unite the Kingdom”, ku pjesëmarrësit valëvitnin flamuj britanikë dhe brohorisnin slogane kundër qeverisë së kryeministrit britanik Keir Starmer. Disa prej tyre mbanin edhe kapele me sloganin “Ta bëjmë Anglinë të madhe përsëri”, duke sjellë në vëmendje retorikën trumpiste.
Në anën tjetër të kryeqytetit britanik, një marshim i madh pro-palestinez u zhvillua nga Kensington drejt Waterloo Place, ku mijëra protestues valëvitnin flamuj palestinezë dhe mbanin pankarta kundër ekstremizmit të djathtë, duke shprehur solidaritet me Palestinën.
Për të shmangur çdo përplasje mes dy grupeve, mbi 4 mijë efektivë të Metropolitan Police u angazhuan në një nga operacionet më të mëdha të sigurisë të viteve të fundit. Autoritetet krijuan një “zonë sterile” mes dy marshimeve dhe përdorën dronë, kuaj, qen policie dhe automjete të blinduara për të mbajtur situatën nën kontroll.
Për herë të parë në protesta të tilla, policia britanike aplikoi edhe teknologjinë e njohjes së fytyrës në kohë reale në stacionet hekurudhore, një masë që ka nxitur debat mbi privatësinë dhe të drejtat civile.
Sipas Policisë Metropolitane, deri në orën 13:00 janë regjistruar të paktën 11 arrestime. Dy persona janë ndaluar pranë stacionit Euston, pasi kërkoheshin për një incident të rëndë të ndodhur më herët në Birmingham.
Ndërkohë, qeveria britanike ka ndaluar hyrjen në vend të 11 shtetasve të huaj të lidhur me lëvizje të ekstremit të djathtë, mes tyre edhe influencuesja amerikane anti-islame Valentina Gomez.
Në reagimin e tij publik, Starmer deklaroi se Britania po përballet me “një luftë për shpirtin e vendit”, duke paralajmëruar se kushdo që nxit urrejtje apo dhunë do të përballet me forcën e ligjit. Nga ana tjetër, Tommy Robinson tha se protesta synon “bashkimin e Mbretërisë dhe Perëndimit” në një demonstrim që ai e cilësoi patriotik.


