Kompania amerikane e lobimit Continental Strategy, e kontraktuar nga Partia Demokratike me një marrëveshje që arrin deri në 6 milionë dollarë, i ka kërkuar Departamentit Amerikan të Shtetit të heqë shpalljen “non grata” për kryetarin e PD-së, Sali Berisha.
Në një dokument 23-faqësh, të siguruar nga Top Channel, lobistët argumentojnë se përcaktimi i Berishës dëmtoi politikën e jashtme amerikane dhe ishte “i motivuar politikisht, pa bazë faktike”. Sipas tyre, heqja e statusit do të rikthente “neutralitetin dhe besueshmërinë amerikane në rajon”.
Një nga argumentet kryesore të kompanisë është se Berisha “nuk është më një figurë aktive politike”:
“Demokracia në Shqipëri është nën kërcënim serioz dhe Berisha nuk është më një figurë aktive politike. Heqja e shpalljes do të shërbente për të korrigjuar një dëm që ka ndikuar edhe në përkeqësimin e situatës në Shqipëri, që kritikët e quajnë sot një ‘shtet-narkotik’.”
Megjithatë, Berisha vazhdon të jetë kryetar i PD-së, të mbajë konferenca për shtyp çdo ditë dhe të përfaqësojë partinë në aktivitetet e Partive Popullore Europiane.
Continental Strategy, e lidhur me rrjetin politik të Partisë Republikane dhe ekipin e ish-presidentit Donald Trump, ka marrë përsipër të lobojë në Uashington për imazhin e PD-së dhe përpjekjet për heqjen e “non grata”-s së Berishës.


