Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u shpreh se Irani “nuk do të dorëzohet kurrë” në përballjen me Izraelin. I pyetur nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë mbi komentet e Khamenei-t, Trump u përgjigj shkurt: “Unë them, paç fat.”
I pyetur më tej se deri kur do të zgjasë durimi i tij me Iranin, presidenti amerikan theksoi se durimi tashmë ka mbaruar, ndaj edhe SHBA po ndërmerr veprimet aktuale.
Në një fjalim drejtuar qytetarëve iranianë, Ajatollah Khamenei akuzoi Izraelin për “gabime të mëdha” dhe premtoi se vendi do të marrë hak për gjakun e “martirëve”. Ai e cilësoi reagimin e popullit iranian ndaj sulmeve si të guximshëm dhe të palëkundur.
Khamenei paralajmëroi gjithashtu SHBA-në, duke thënë se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane do të sjellë “dëme të pariparueshme”, dhe kritikoi retorikën kërcënuese të presidentit Trump. “Njerëzit që njohin historinë dhe karakterin e kombit iranian nuk duhet të flasin me këtë gjuhë kërcënuese. Irani nuk do të dorëzohet,” përfundoi ai.


