Policia ka zbuluar në Zall-Bastar një ambient të përshtatur si laborator për falsifikimin e dokumenteve arsimore dhe profesionale. Në këtë hapësirë dyshohet se prodhoheshin diploma të shkollave të mesme, universiteteve, si edhe licenca të ndryshme profesionale.
Gjatë operacionit u sekuestruan qindra dokumente të dyshuara si të falsifikuara, së bashku me pajisje dhe materiale që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme.
Në pranga përfundoi shtetasi me inicialet A. T., 51 vjeç, në banesën e të cilit u gjet edhe laboratori i fshehtë. Autoritetet po vijojnë hetimet për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale.


