Aktori i njohur Leonardo DiCaprio ka reaguar pas vdekjes së Robert Redford, i cili ndërroi jetë dje në moshën 89-vjeçare.
Redford, përveçse një emër i madh i kinemasë botërore, ishte edhe themelues i organizatës “Sundance Institute” dhe përmes saj, si dhe aktiviteteve të tjera, u angazhua fort për çështjet mjedisore.
Në një postim në Instagram, DiCaprio shkroi:
“Ai ishte një aktor i shkëlqyer, aktivist, ambientalist i apasionuar dhe kampion i arteve. Angazhimi i tij për të mbrojtur planetin tonë dhe për të nxitur ndryshimin u shoqërua me një talent të jashtëzakonshëm. Ndikimi i tij do të mbetet për të gjitha brezat që do të vijnë.”
DiCaprio përmendi Redfordin edhe gjatë premierës së filmit “One Battle After Another”:
“Ai ishte një udhëheqës besnik mjedisor dhe anëtar i Këshillit për Mbrojtjen e Burimeve Natyrore si unë, dhe luftoi për të drejtat e njerëzve. Sot humbëm një legjendë të madhe.”
Redford, së bashku me djalin e tij James, themeloi në vitin 2005 “Qendrën Redford”, një organizatë e fokusuar në prodhimin e filmave dhe mbështetjen e autorëve që trajtojnë temat e ndryshimeve klimatike dhe mjedisit.


