Gjatë periudhës korrik-nëntor 2020, kapja dhe vrasja e Nuredin Dumanit ishte një nga prioritetet kryesore të grupit të njohur si “Grupi i Dubait,” i drejtuar nga vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja. Gjatë kësaj kohe, grupi angazhoi burime të shumta për të gjetur njerëz që mund të realizonin planin e tyre, ndërsa Arben Lamçja, një individ me lidhje të forta kriminale, ishte personi që ndërmjetësonte marrëveshjet për llogari të Franc Çopjes.
Lamçja, i njohur gjithashtu me mbiemrin “Dobrova,” u arrestua dhe u ekstradua nga Kosova vetëm pak ditë më parë. Aktualisht, ai përballet me akuzat për “Sigurim të kushteve për të kryer vrasje” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale” si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Emri i Lamçjas është i njohur për autoritetet, duke qenë se më parë është dënuar në Itali me 14 vite burg për “Shfrytëzim të prostitucionit” dhe “Bashkëpunim kriminal,” dënim të cilin e ka shërbyer pjesërisht. Në vitin 2011, ai u arrestua përsëri në Shqipëri mbi bazën e një urdhër arresti ndërkombëtar nga Gjykata e Brescia-s, Itali.
Gjatë komunikimeve të përgjuara në aplikacionin “Sky,” Lamçja kishte kontakte të rregullta me Franc Çopjen, i cili i kërkonte të gjente njerëz të gatshëm për të vrarë Nuredin Dumanin, duke ofruar shuma të mëdha parash për kryerjen e krimit. Franci, i shqetësuar nga tradhtia e Dumanit, kishte vendosur një shpërblim prej 750 mijë eurosh për vrasjen e tij.
Lamçja u takua me disa individë për të realizuar këtë plan, përfshirë një person të quajtur Asllan, i cili ishte mik i ngushtë i Dumanit. Franci ofroi deri në 1 milion euro për të bindur Asllanin që të vriste Dumanin. Ndërkohë, një plan tjetër u hodh në veprim, përfshirë dhe një skuadër policore që ndihmoi në gjurmimin e Dumanit.
SPAK ka ngritur akuzat për “Sigurim të kushteve për të kryer vrasje” në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal ndaj Franc Çopjes dhe Arben Lamçjas, lidhur me tentativat për eliminimin e Nuredin Dumanit, një tjetër vrasës me pagesë.


