TIRANË- Pak orë pas ndryshimeve në kupolën e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka bërë edhe prezantimin e kreut të ri para vartësve të tij.
Lamallari prezantoi sot (27 prill) drejtorin e ri të AMP, Klevis Qose, deri pak më parë ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.
Teksa falënderoi drejtorin e deritanishëm, Eduart Merkaj, ministri Lamallari theksoi se drejtuesi i ri i AMP-së, duhet të çojë më tej punën për rritjen e transparencës, forcimin e kontrollit të brendshëm dhe garantimin e standardeve më të larta profesionale në Policinë e Shtetit.
“Prezantova sot drejtorin e ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Klevis Qose. Ai merr këtë përgjegjësi në një moment të rëndësishëm për forcimin e standardeve të integritetit dhe duhet të vijojë me përkushtim këtë mision, duke çuar më tej punën për rritjen e transparencës, forcimin e kontrollit të brendshëm dhe garantimin e standardeve më të larta profesionale në Policinë e Shtetit”, tha ai mes të tjerash.
Më tej ministri vlerësoi edhe punën e paraardhësit të Qoses, duke nënvizuar se angazhimi i dikasterit për vetëpastrimin e radhëve të uniformave blu është i panegociueshëm dhe se kush cenon besimin e qytetarëve nuk ka vend në Polici.
“Falënderime për Eduart Merkaj për përkushtimin, seriozitetin dhe integritetin që tregoi gjatë drejtimit të AMP-së. Kontributi i tij ka qenë i vyer në forcimin e rolit të kësaj agjencie dhe në konsolidimin e standardeve të llogaridhënies. Angazhimi ynë për vetëpastrimin e Policisë së Shtetit është i panegociueshëm. Kushdo që cenon besimin e qytetarëve dhe uniformën, nuk ka vend në radhët e saj. Ne do të vijojmë me forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe ndëshkimit, duke mbështetur çdo hap që garanton një polici të pastër, profesionale dhe në shërbim të qytetarëve”.


