Pas një vizite katërditore në Britani, Princi Harry zhvilloi një takim të shumëpritur me Mbretin Charles – i pari pas gati dy vitesh. Takimi u zhvillua në Clarence House dhe shihet si një hap drejt pajtimit familjar.
Sipas burimeve të cituara nga Daily Mail, Harry është penduar për disa nga veprimet e tij që nga largimi nga familja mbretërore dhe kërkon të rindërtojë marrëdhënien me babain dhe me popullin britanik.
Mbretit Charles thuhet se i mungojnë nipërit e tij, Archie dhe Lilibet, të cilët nuk i ka parë prej vitit 2022, dhe dëshiron të ketë një rol më të madh si gjysh. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Meghan Markle do të jetë pjesë e një vizite të ardhshme familjare në Mbretëri.
Ndërkohë, marrëdhëniet e Harry-t me vëllain e tij, Princin William, mbeten të tensionuara. Edhe pse ndodheshin shumë pranë njëri-tjetrit gjatë vizitës, nuk pati asnjë takim mes tyre.
Pas largimit nga Londra, Princi Harry udhëtoi në Kiev, ku po zhvillon takime me veteranë të plagosur të luftës dhe me kryeministren e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, në kuadër të angazhimit të tij me Invictus Games.
Vizita e tij në Britani u përshkrua nga mediat si një “mini-turne mbretëror”, gjatë së cilës ai mori pjesë në disa aktivitete publike dhe theksoi nevojën për të mbështetur të rinjtë përballë izolimit dhe sfidave sociale.
Analistët e shohin takimin me Mbretin si një hap të parë drejt pajtimit, megjithatë pengesa të tilla si siguria dhe qëndrimi i Meghan ndaj kthimit në Britani mbeten sfida për një rikthim të plotë të familjes Sussex në jetën mbretërore.


