Kryeprokurori Olsian Çela ka reaguar ashpër ndaj projektit të ri të Kodit Penal, duke e cilësuar si një dokument të hartuar pa analizën e nevojshme mbi mangësitë e kodit aktual dhe pa përfshirjen e institucioneve kyçe.
Sipas Çelës, grupi i punës që përgatiti draftin nuk përfshiu asnjë përfaqësues nga Prokuroria, ndërsa reagimi i tij erdhi vetëm pasi dokumenti iu prezantua në versionin përfundimtar.
“E rëndësishme është pikënisja. Duhet të kuptonim pse ky kod është i pamjaftueshëm për sfidat aktuale. Pa një analizë të tillë, produkti final vuan në cilësi. Ky është problemi kryesor i draftit,” – deklaroi Çela për mediat.
Ai shtoi se disa nga nenet e propozuara janë të formuluara keq, të paqarta dhe mund të krijojnë vështirësi në interpretim, duke rrezikuar ngadalësimin e punës së gjykatave dhe prokurorive, veçanërisht në një sistem tashmë të mbingarkuar.
Kryeprokurori paralajmëroi gjithashtu se hyrja në fuqi e kodit të ri do të kërkonte rivlerësimin e shumë çështjeve në gjykim ose hetim, duke hapur debat mbi efektin e mundshëm prapaveprues dhe duke shtuar presionin mbi magjistratët.
“Drafti është voluminoz, kërkon kohë për t’u përvetësuar dhe teknika e përdorur për hartimin e tij është komplekse, duke rritur rrezikun për konfuzion në zbatimin e dispozitave,” – përfundoi Çela.


