TIRANË– Këtë të diel kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kreu i Partisë Socialiste mbledh Kongresin zgjedhor, ku në fokus do të jetë puna mes partisë dhe qeverisë.
Mësohet se mbledhja do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku kryeministri Edi Rama do të japë mesazhet e tij, ndërsa nuk dihet nëse do të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar, apo do të bëhet publik emri që do të pasojë Lindita Nikollën në drejtimin e Parlamentit.
Ndërkohë që Partia Socialiste mban sot Kongresin, në Presidencë është parë të shkojë kreu i Shtetit, Bajram Begaj, i cili mesa duket do ta ndjekë aktivitetin e Partisë Socialiste.
Ende nuk dihet nëse Begaj do të firmos ndonjë dekret ditën e sotme.
AXHENDA
Mbledhja do të jetë e ndarë në disa panele. Në pjesën e parë, atë të Mirëqeverisjes, ministra të kabinetit “Rama 3” do të parqesin arritjet e deritanishme. Në pjesën e dytë, atë për Antikorrupsionin, pritet të flasin ministrja e Shtetit për Administratën, Adea Pirdeni dhe Fatmir Xhafaj, të cilit Edi Rama i ka besuar kryesimin e Komisionit Antikorrupsion.
Pjesa e tretë do të fokusohet tek punët e brendshme të partisë. Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi, ministrja për Parlamentin Spiropali dhe ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi do të përqëndrohen tek nisma “Deputeti që duam”, rienergjizimi dhe anëtarësimet e reja në parti.
Fjalimi kryesor do t’i përkasë kreut të PS, Edi Ramës, i cili në mëngjes publikoi dhe një foto të dekorit të Kongresit ku dhe do të mbahen fjalimet.


