Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Grupin e Punës për hartimin e Kodit të Ri Penal, zhvilloi sot tryezën e parë konsultuese me gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë dhe përmbarues gjyqësorë.
Diskutimi solli perspektiva profesionale dhe sugjerime konkrete, veçanërisht mbi krimet kundër sistemit të drejtësisë. “Kjo tryezë shënon fillimin e një procesi të gjerë konsultimesh për të garantuar një Kod Penal modern, koherent dhe në shërbim të drejtësisë”, deklaroi Ministria e Drejtësisë.
Në total janë planifikuar rreth 25 tryeza konsultimi publik për draftin e ri, i cili u prezantua më 25 korrik pas një pune disa vjeçare nga një grup ekspertësh të drejtuar nga prof. Arben Rakipi, Drejtor i Shkollës së Magjistraturës.
Procesi i konsultimit përfshin aktorët e sistemit të drejtësisë, partnerët ndërkombëtarë, universitetet, shoqërinë civile, mediet dhe qeverinë, si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe forcimit të Shtetit të së Drejtës.
Kodi Penal aktual, i miratuar në vitin 1995, ka pësuar deri tani 32 ndryshime – 23 me ndërhyrje legjislative dhe 9 përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.


