Gjyqtari dhe kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, një nga ekspertët e përfshirë në hartimin e projektit për Kodin e ri Penal, thekson se dokumenti i prezantuar është vetëm një draft dhe jo varianti përfundimtar.
“Ky nuk është kodi përfundimtar. Me hapjen e debatit publik, konsultimet do të sjellin përmirësimin e tij. Të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, vendas dhe të huaj, janë ftuar të kontribuojnë”, tha Hoxha në një intervistë për TCH.
Ai kujton se puna për draftin u përfundua që në shtator 2023:
“Kam qenë pjesë e një grupi pune ku merrnin pjesë përfaqësues nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, dhoma e avokatisë dhe partnerët ndërkombëtarë. Vlerësoj shumë kontributin e Prokurorit të Përgjithshëm z. Çela dhe kryeprokurorit z. Dumani. Kontributi i tyre do ta bëjë këtë kod më cilësor.”
Sa i përket kritikave për nenet që prekin sekretet dhe mediat, si dhe dënimet për përbaltjen e figurave shtetërore, Hoxha sqaron:
“Janë marrë modele nga vendet perëndimore si Gjermania, Franca dhe Italia. Është një zgjerim i kodit aktual, ku janë shtuar disa figura si presidenti i Republikës. Por theksoj: ky është një draft.”
Megjithatë, gjyqtari pranon se nuk ka informacion pse projekti u publikua gati një vit pas përfundimit.


