TIRANË– Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ ka rrëzuar kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zhvillimin e zgjedhjeve të tjera në Bashkinë e Himarës, duke lënë në fuqi rezultatin fillestar.
Në zgjedhjet e mbajtura në 4 gusht të 2024, rezultoi fitues Vangjel Tavo i PS-së duke marrë postin e Kryebashkiakut me rreth 1500 vota përpara kandidatit të opozitës, Petro Gjikuria.
Përfaqësuesi i opozitës tha se janë rreth 26 % e votuesve me dokumente të skaduara që nuk u lejuan të votojnë, duke zhbërë kështu të drejtën e votës. Sipas tij, janë të paktën 256 raste kur nga votues është rinovuar karta e identitetit në kohë rekord, 1 apo dy ditë para zgjedhjeve, aq sa nuk njiheshin nga sistemi PEI këto karta.
Gjetjet nga administrata e KQZ pas verifikimit te materialeve zgjedhore janë:
169 qytetarë janë kthyer për shkak se kanë pasur karta të skaduara. Nga këto raste janë gjetur-
23 në librin e protokollit – mbi 140 të tjerët në regjistrat posaçëm të zgjedhësve
Rreth 100 zgjedhës vështirësi për t’u identifikuar me pajisjen PEI (nuk ka njohur gjurmën e gishtit)
Nuk janë evidentuar raste me votim me kartë të skaduar.
Përfaqësuesi ligjor i “Bashkë Fitojmë” tha se do t’i drejtohen shkallës tjetër ankimore që është Kolegji Zgjedhor, pas vendimit të KAS.
“Prodhimi i dokumenteve varet nga një kompani shtetërore, ne i qëndrojmë indicies që 311 shtetas janë shtuar në Himarë, 90 shtetas të tjerë janë shtuar pas dekretimit të datës së zgjedhjeve, mbi 560 shtetasve iu mohua e drejta e votës, kemi pasur zhvendosje të zgjedhësve nga një qendër në tjetrën, kemi 88 raste kur votuesit nuk janë identifikuar përmes shenjave.”-përfaqësuesi i opozitës.


