Kryeministri Edi Rama ka ftuar këtë të diel në podkastin e tij “Flasim” ministren e re të Shëndetësisë, Evis Sala, me të cilën zhvilloi një bisedë të çiltër dhe me tone humori.
Në nisje të intervistës, Rama e përshkroi Salën si një profesioniste me përvojë të gjatë jashtë vendit, duke shtuar me ironi karakteristike:
“Ke një karrierë të gjatë, si fjalimet e mia.”
Nga ana e saj, ministrja tha se pas largimit nga Shqipëria kishte vijuar studimet në Universitetin e Kembrixhit, ku kishte përfunduar doktoraturën, ndërsa theksoi vështirësitë e fillimit në një sistem shumë më të avancuar.
“Kur ika nga Shqipëria bëra një doktoratë në Cambridge. Sfida ishte se vija nga një sistem që nuk kishte qenë aq i përparuar në këtë fushë. Nuk shkon vetëm,” – u shpreh ajo.
Rama, pa e humbur momentin për humor, i tha ministres se duhet të “stërvitet pak me shqipen” përpara se të nisë punën intensive në qeveri.
“Duhet të bësh stërvitje me shqipen këtë periudhë,” – tha kryeministri me buzëqeshje.
Podkasti “Flasim” vijon të jetë një format ku Rama prezanton bashkëpunëtorët e tij dhe diskuton me ta për sfida, eksperienca dhe vizionin e qeverisë.


