Ish-zëvendëspresidentja e SHBA, Kamala Harris, ka lënë të kuptohet se mund të kandidojë sërish për Shtëpinë e Bardhë, pas humbjes ndaj Donald Trump në zgjedhjet e kaluar. Në intervistën e saj të parë në Mbretërinë e Bashkuar për BBC, Harris u shpreh se ëndrra për të pasur një grua në postin më të lartë të Amerikës mbetet e gjallë dhe ajo vetë nuk ka ndërmend të tërhiqet nga politika.
“Nuk kam përfunduar,” tha Harris, duke theksuar përvojën e saj të gjatë në shërbim publik dhe ambicien për të kontribuar edhe më shumë në politikë. Ajo gjithashtu kritikoi sjelljen autoritare të Trump dhe veprimet e liderëve të biznesit dhe institucioneve që sipas saj e kanë favorizuar ish-presidentin.
Harris nuk ka dhënë një vendim përfundimtar në lidhje me një garë të re në 2028, por ka lënë të kuptohet se nuk do të largohet nga skena politike dhe do të vazhdojë të jetë aktive. Ish-zëvendëspresidentja së fundmi ka publikuar librin e saj “107 Days”, ku rrëfen përvojën dhe sfidat e fushatës së saj të shkurtër presidenciale, duke reflektuar mbi rëndësinë e përqendrimit te çështjet ekonomike dhe të përditshme të amerikanëve.


