Përvoja dramatike e një turisteje të huaj në Alpet Shqiptare është bërë virale në rrjetet sociale, pasi ajo ndau minutë pas minute betejën e saj për mbijetesë, pasi u kafshua nga një nepërkë me bri, një nga gjarpërinjtë më helmues që gjenden në Shqipëri.
Amy, e cila prej tre vitesh e gjysmë jeton në Zelandën e Re, tregon se incidenti ndodhi më 21 qershor, rreth orës 10:19, ndërsa po vraponte në një shteg malor pranë Valbonës.
Menjëherë pasi u kafshua, ajo filmoi gjarprin për ta identifikuar më vonë, u ul në shteg dhe telefonoi numrin e emergjencës 112. Për shkak të terrenit të vështirë dhe problemeve me komunikimin, ekipet e ndihmës nuk arritën ta lokalizonin menjëherë.
Në përpjekje për të siguruar ndihmë sa më shpejt, Amy telefonoi babanë e saj në Australi, i cili i kërkoi t’i dërgonte vendndodhjen përmes aplikacionit What3Words. Paralelisht, ajo kontaktoi edhe pronarin e një bujtine në Shkodër, i cili komunikoi me autoritetet lokale përmes WhatsApp dhe ndihmoi në orientimin e ambulancës drejt vendit ku ndodhej.
Gjatë pritjes, turistja tregon se fillimisht improvizoi gabimisht një turniket me rrobat e saj. Më pas, duke ndjekur udhëzimet që mori, e hoqi atë dhe vendosi një fashë kompresive rreth plagës, ndërsa qëndroi sa më e palëvizshme për të ngadalësuar përhapjen e helmit.
Amy rrëfen se momenti më i frikshëm ishte kur kuptoi se ishte kafshuar nga një nepërkë me bri. Megjithatë, ajo që ka prekur më shumë ndjekësit në rrjetet sociale është mënyra se si e përballoi situatën. Mes dhimbjes, ankthit dhe pasigurisë, ajo vazhdoi të filmonte veten, të dokumentonte çdo zhvillim dhe madje të bënte humor, duke u përpjekur të ruante qetësinë.
Në mesazhin e saj, turistja thekson se pa sinjalin e telefonit celular, ngjarja mund të kishte marrë një tjetër rrjedhë. Për këtë arsye, ajo u bën thirrje të gjithë vizitorëve që eksplorojnë zona të thella malore të pajisen me mjete komunikimi emergjente, si inReach ose Personal Locator Beacon (PLB), të përdorin aplikacione për ndarjen e vendndodhjes, si What3Words, dhe të mbajnë gjithmonë me vete një çantë të ndihmës së parë.
Në fund të rrëfimit të saj, Amy falënderon banorët vendas, ekipet e emergjencës dhe të gjithë ata që kontribuuan në shpëtimin e saj, duke theksuar se reagimi i shpejtë ishte vendimtar. Fatmirësisht, ajo tashmë është jashtë rrezikut dhe e ka kthyer këtë përvojë traumatike në një mesazh shprese: edhe në situatat më të vështira, nuk duhet humbur kurrë besimi dhe qetësia.


