Debati për ndryshimet e propozuara në Kodin Penal ka ngritur shqetësime serioze mes juristëve dhe organizatave të të drejtave të njeriut. Nenet e reja parashikojnë burg për komente që mund të “ndikojnë vendimmarrjen e gjykatës” dhe për publikimin e të dhënave nga hetimet penale, gjë që sipas ekspertëve mund të hapë rrugën për censurë.
Avokati Olti Malasi e konsideron veçanërisht problematik nenin 536, i cili sanksionon me burg çdo deklaratë apo koment publik përpara dhënies së një vendimi gjyqësor që mund të perceptohet si presion ndaj gjykatës.
“Ky nen hap rrugën për ndëshkimin e çdo analize, komenti apo kritike ndaj proceseve gjyqësore, madje edhe kur ato kanë interes të lartë publik. Gjykatat janë të pavarura dhe vendimet e tyre duhet të bazohen në prova, jo në komente publike. Kjo formë kontrolli nuk është as e zbatueshme dhe as në përputhje me parimet demokratike,” deklaroi Malasi për Top Channel.
Një tjetër pikë e debatit është ndalimi i publikimit të informacionit nga dosjet hetimore. Ekspertët thonë se dispozita është e paqartë dhe mund të përdoret për të ndëshkuar gazetarët dhe për të mbyllur rrugën e gazetarisë investigative.
“Nuk mund të quhet e gjithë dosja sekret hetimor. Ka raste kur informimi i publikut është interes kombëtar. Ky formulim është shumë i përgjithshëm dhe lë hapësirë për abuzim,” theksoi Malasi, duke shtuar se edhe e drejta e mbrojtjes vihet në rrezik nëse palët nuk kanë akses të plotë në akte.
Juristët kërkojnë rishikim të dispozitave dhe një debat të gjerë publik përpara miratimit të tyre në Kuvend, duke kujtuar se forma të tilla të kriminalizimit të fjalës së lirë bien ndesh me praktikat e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe rekomandimet e BE-së.


