Nga Edmond Arizaj
Me sytë tanë po shohim ato që dikur i mësonim nga librat; si të mëdhenjtë bisedojnë duke qeshur për të lëvizur kufijtë e të vegjëlve. Ato parimet e bukura me vetëvendosje brenda, tashmë janë thjesht nocione.
Ku jemi ne shqiptarët në këtë lojë gjigande shahu?! As në fushë jo. Vlejmë më pak se një ushtar. Sot vlejmë shumë më pak se shqiptarët e 100 viteve më parë, e pothuaj s’kemi asnjë vlerë përballë atyre të 200 e kusur viteve më parë. Ne nuk e dimë se ç’do të lindë nga dashuria e re e të mëdhenjve, nuk dimë se si luhet loja e madhe, nuk dimë të ardhmen, e të mendosh që kemi një problem të pambyllur, një pjesë e mirë e jona, Kosova, ka atë problemin shekullor. Një rifuqizim botëror i Rusisë, nuk është aspak në të mirën tonë.
Por ç’bëmë ne për 25 vjet?! Nga viti 2000 deri sot? Në vend të shkonim drejt lidhjes, drejt gjetjes së fijeve të shkëputura mes popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, pranuam e përqafuam e përhapëm pa mend, helmin e ndarjes, përçarjes, përçmimit, fyerjes, dallimit, deri në marrëzinë e krijimit të kombit ndryshe.
Shtetarët tanë në të dy krahët, ku me dashje e ku pa dashje, nuk u treguan burra shteti, por siç thuhet në atë gjuhën e plasjes së shpirtit, u treguan burra muti, duke mbajtur inate, mëri, e duke mos shtrirë dorën e duke mos kuvenduar. Historia i gjykoftë! Gjaku e “ah”-et e të vdekurve e të gjallëve i mallkofshin! 25 vjet të mundësive të mëdha të shqiptarëve, u hodhën në koshin e plehrave.
E sot unë kam frikë. Kam frikë nga e nesërmja. Kam frikë se historia përsëritet. Kam frikë se jemi të pafuqishëm. E në krahasim me ata burrat e qemotshëm, sot jemi edhe më pak atdhedashës, pikërisht për shkak të atyre joburrave të shtetit që atdheun e bënë pazar.


