Qeveria izraelite ka dërguar një mesazh të fortë diplomatik ndaj Francës, duke paralajmëruar se vizita e presidentit Emmanuel Macron në Tel Aviv nuk do të zhvillohet, nëse Parisi nuk tërhiqet nga nisma për njohjen e shtetit palestinez.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, gjatë një bisede telefonike me diplomatin francez Jean-Noël Barrot, u shpreh se “nuk ka vend për një vizitë presidenciale” për sa kohë që Franca vijon të mbështesë këtë iniciativë, të cilën Tel Avivi e konsideron të dëmshme për interesat kombëtare dhe sigurinë e vendit.
Sipas Sa’ar, çdo hap i Francës drejt njohjes zyrtare të Palestinës deri në fund të muajit jo vetëm që do të cënonte marrëdhëniet bilaterale, por do të rrezikonte edhe stabilitetin rajonal në Lindjen e Mesme.
Ky paralajmërim vjen në një kohë tensionesh të larta mes Izraelit dhe disa vendeve evropiane, të cilat po shqyrtojnë mundësinë e njohjes së shtetit palestinez, ndërkohë që lufta në Gaza dhe kriza humanitare vazhdojnë të thellohen.


