Karabinierët e Frosinone në Itali njoftuan se pikasën një rast të shitjes së lëndëve narkotike, duke vënë në pranga kështu dy shqiptarë të dyshuar dhe sekuestruar armë dhe një sasi kokaine e hashashi të ndarë në doza.
Mësohet se ka qenë një valë kontrollesh në banesa të dyshuara për aktivitete të paligjshme ajo që çoi në bazën e të ndaluarve.
Media publikoi se aksioni i drejtuar nga toger Massimo Petrosino, u finalizua në zonën e Ater-it, ku janë rezidentë edhe shumë të huaj, duke vijuar operacionin e nisur prej muajit nëntor.
Të enjten pasdite, karabinierët bënë kontrolle rutinë edhe në Casermone, ku dalluan 2 njerëz që shikonin nga ballkoni i një apartamenti që duhej të ishte bosh dhe diktuan se çfarë po ndodhte.
Para se të arrinin në banesë, të dy u larguan, të ndihmuar nga kamerat e vendosura në pika strategjike, të cilat i lejonin të shikonin dhe të parashikonin lëvizjet e policëve.
Forcat u ndanë që të mbulonin dy pjesë, njëri që kontrollonte banesën dhe tjetri që ndiqte dy të dyshuarit e arratisur. Ndjekja nuk zgjati shumë dhe të dyshuarit u prangosën, teksa u gjet edhe një pasaportë në banesë.
Brenda u gjetën dy thika me çelës dhe një pistoletë gjysmë automatike, me numër serie të gërryer, me 7 fishekë në të, 10 gëzhoja të kalibrit të ndryshëm brenda një kutie, të një arme tjetër, por që nuk u gjet aty.
Banesa shërbente si bazë e vërtetë e trafikut të drogës, duke qenë se aty u gjetën 3 doza kokainë, rreth 10 gramë hashash të ndarë në 3 porcione dhe materiale të ndryshme për paketimin e dozave individuale.
Kontrolli u shtri edhe në një banesë tjetër që shqiptarët e kishin në përdorim për përgatitjen e lëndëve narkotike.


