Xheraldina Vula, nëna e artistit të njohur Ledri Vula, ka thyer heshtjen për ndarjen e të birit me partneren e tij prej vitesh, Sara Hoxha. Në një intervistë të fundit për mediat kosovare, ajo tregoi se lajmi i ndarjes së çiftit ka qenë një goditje për familjen.
“U ndjemë shumë keq, ishte befasuese për ne. Asnjë prind nuk gëzohet kur fëmija i tij ndahet, sidomos kur kemi të bëjmë me një çift që dukej aq mirë së bashku. Por të rinjtë bëjnë zgjedhjet e tyre, pa na pyetur,” tha ajo me sinqeritet.

Megjithatë, Xheraldina theksoi se marrëdhënia e saj me Sarën nuk ka ndryshuar, përkundrazi, ajo mbetet shumë e respektueshme dhe korrekte.
“Unë me Sarën vazhdoj të kem të njëjtën lidhje. Ajo kujdeset për vajzën e tyre dhe e sjell rregullisht tek unë. Vjen, na viziton dhe gjërat janë shumë në rregull. Nuk ka asnjë antagonizëm mes nesh,” tha Xheraldina, duke vënë theksin tek bashkëpunimi i shëndetshëm për të mirën e vajzës së vogël të çiftit.
Ky qëndrim i saj është vlerësuar nga publiku si një shembull i maturisë dhe respektit mes familjeve, edhe pas një ndarjeje.



