Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka propozuar që vaksina kundër Human Papiloma Virus (HPV), e cila mbron nga kanceri i qafës së mitrës, të aplikohet edhe tek djemtë e moshës 13 vjeç.
HPV transmetohet përmes kontakteve seksuale dhe mund të shkaktojë kancer të organeve gjenitale dhe në pjesë të tjera të trupit, duke rritur rrezikun edhe te meshkujt. Aktualisht, në kalendarin e vaksinimit të detyruar në Shqipëri, vaksina katërvalente kundër HPV aplikohet prej tre vitesh tek vajzat 13-vjeçare.
Për moshat 14–20 vjeç, ISHP ka ndërmarrë një fushatë vaksinimi në qendrat shëndetësore, me qëllim mbrojtjen e grave dhe nënave të ardhshme nga kanceri i qafës së mitrës.
Vaksina kundër HPV aplikohet në të gjitha vendet e Europës, dhe në disa prej tyre është e detyrueshme edhe për djemtë. Studimet tregojnë se aplikimi i saj ka ulë ndjeshëm rastet e HPV dhe të kancerit të qafës së mitrës te gratë në mbarë botën.
Në Shqipëri, kanceri i qafës së mitrës është i dyti më i përhapur pas atij të gjirit, me mbi 130 raste të reja çdo vit.


