Është zhvilluar në Greqi seanca e radhës gjyqësore ndaj Kastriot Cenko, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, krim i ndodhur dy vite më parë.
I pandehuri ka mohuar akuzën për vrasje me paramendim, duke deklaruar para gjykatës se veproi në gjendje të rënduar emocionale. “Isha i tërbuar, nuk isha në një gjendje të qetë mendore. Gjithçka ndodhi në atë moment,” u shpreh ai, ndërsa kërkoi falje për fëmijët dhe familjen e viktimës.
Ndërkohë, nëna e viktimës, Alba, dha një dëshmi prekëse në sallën e gjyqit, duke treguar vështirësitë që e bija përjetonte në jetën familjare. Sipas saj, ajo punonte disa punë për të mbajtur familjen, pasi bashkëshorti nuk siguronte të ardhura.
Ajo rrëfeu gjithashtu se pas krimit, i pandehuri e kishte telefonuar duke u shtirur i shqetësuar dhe duke pretenduar se vajza e saj ishte larguar nga shtëpia. Në një moment emocional, nëna e viktimës u shpreh: “Nuk dua që t’i bëjnë asgjë, dua që ai të ma kthejë vajzën.”
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 29 nëntor 2024 në zonën e Ampelokipi, ku, sipas hetimeve, i pandehuri e goditi bashkëshorten me çekiç dhe më pas e fshehu trupin për një javë në papafingo.
Hetimet zbuluan se ai kishte përdorur edhe telefonin e viktimës për të mashtruar familjarët dhe fëmijët, ndërsa dyshohet se ishte i nxitur nga xhelozia, pasi besonte se bashkëshortja e tradhtonte.
Seanca e radhës e gjyqit pritet të mbahet muajin e ardhshëm.


