Është zhvilluar këtë të mërkurë seanca gjyqësore për dosjen “Partizani”, ku gjatë shqyrtimit të çështjes gjykata konstatoi mungesën në sallë të Fatmir Bektashit dhe avokatit të tij, Sokol Hazizaj.
Për shkak të mungesës së tyre, Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi shtyrjen e seancës, deri në njoftimin e përsëritur të të pandehurit dhe mbrojtësit të tij.
Në seancën e sotme janë paraqitur gjithashtu si dëshmitarë ish-ministri Ylli Pango dhe Violeta Shevia, të cilët pritet të japin dëshmitë e tyre në kuadër të procesit gjyqësor për këtë dosje.
Gjykata njoftoi se seanca e radhës do të mbahet më 8 qershor, por ish-ministri Pango deklaroi se e ka të pamundur të jetë i pranishëm në atë datë për shkak të angazhimeve të paracaktuara.
Në vijim, trupa gjykuese pyeti përfaqësuesit e SPAK mbi mënyrën e procedimit në këtë situatë, ndërsa prokuroria propozoi që në seancën e ardhshme të thirren pesë dëshmitarë të tjerë, mes tyre edhe Paro Laçi dhe Genc Ruli.
Dosja “Partizani” mbetet një nga çështjet më të ndjekura në sistemin e drejtësisë shqiptare, ndërsa procesi vijon me dëgjimin e dëshmitarëve dhe administrimin e provave.


