Ish-ministri rus i Transportit, Roman Starovoit, është gjetur i pajetë vetëm pak orë pas publikimit të dekretit të shkarkimit të tij nga Presidenti Vladimir Putin. Autoritetet ruse thonë se ai dyshohet të jetë vetëvrarë, pasi u gjet në makinën e tij me plagë nga armë zjarri.
Starovoit u shkarkua të hënën në mëngjes dhe u zëvendësua përkohësisht nga Andrey Nikitin. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se largimi i tij “nuk kishte të bënte me mungesë besimi”, por nuk dha sqarime të tjera.
Para emërimit si ministër, Starovoit ka qenë guvernator i Kurskut – rajon kufitar me Ukrainën, ku ishte kritikuar për menaxhimin e sigurisë pas sulmeve të përsëritura.
Ngjarja ndodh në kohë turbulencash për sektorin e transportit ajror rus, që po përballet me kaos operativ: mbi 1,900 fluturime janë vonuar, 485 janë anuluar dhe dhjetëra janë devijuar.


