SHBA– Një burrë është në paraburgim pasi dyshohet se vandalizoi shtëpinë e Zëvendëspresidentit JD Vance herët të hënën në mëngjes. William DeFoor, 26 vjeç, akuzohet për nga një akuzë për pengim të punës zyrtare, dëmtim ose rrezikim penal, hyrje të paligjshme në pronë dhe vandalizëm, tregojnë të dhënat e gjykatës.
Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e tij në William Howard Taft Drive, ndërsa Shërbimi Sekret amerikan kërkoi ndërhyrjen e policisë lokale rreth orës 00:15, pasi agjentët vunë re një person që po lëvizte me shpejtësi në zonë.
Sipas një deklarate zyrtare, i dyshuari theu disa dritare të banesës dhe u ndalua pak më vonë nga agjentët e Shërbimit Sekret. Nuk raportohet për persona të lënduar. “Shërbimi Sekret i SHBA-së po bashkëpunon me Policinë e Cincinnati-t dhe Zyrën e Prokurorit Federal, ndërsa po shqyrtohen vendimet për ngritjen e akuzave”, shkruajnë mediat vendase.
Autoritetet sqaruan se zëvendëspresidenti Vance dhe familja e tij nuk ndodheshin në banesë në momentin e incidentit, pasi ishin jashtë qytetit. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë./Radar.al


