Një 29-vjeçar shqiptar, i dyshuar për një seri grabitjesh në të gjithë Anglinë, është paraqitur sot në Gjykatën Magjistrale të Sevenoaks, pasi akuzohet për më shumë se 30 vepra penale.
Sipas Kent Online, të cilës i referohet Top Channel, Gledis Uka, pa adresë të fiksuar banimi, është akuzuar zyrtarisht më 31 janar për 31 raste vjedhjeje me thyerje dhe dy raste tentativë vjedhjeje me thyerje.
Nga këto, 14 grabitje dyshohet se janë kryer në qarkun e Kentit, konkretisht në zonat Sevenoaks, Tonbridge dhe Ashford.
I riu u paraqit sot para gjykatës, e cila vendosi masën e paraburgimit ndaj tij. Sipas hetimeve, në shumicën e rasteve autorit i atribuohet thyerja e dritareve apo dyerve prej xhami, ndërsa më pas grabitja e bizhuterive dhe parave, duke vepruar i maskuar.
Gledis Uka u arrestua të premten në Essex, gjatë një operacioni të Policisë së Kentit. Ai pritet të dalë sërish para drejtësisë më 2 mars, në Gjykatën e Kurorës në Maidstone.
Sipas autoriteteve britanike, grabitje të tjera të dyshuara janë regjistruar edhe në Berkshire, Bristol, Buckinghamshire, Essex, Suffolk dhe Surrey, duke e shtrirë aktivitetin kriminal në disa qarqe të Anglisë.


