TIRANË– Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy shtetas kinezë pasi i kanë marrë përmes mashtrimit 10 mijë euro një shqiptari.
NJFOTIMI:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Scam platform”. I morën një shtetasi shqiptar, nëpërmjet mashtrimit, kriptomonedhat nga llogaria kriptofinanciare, dhe nuk i dhanë vlerën e tyre (10 000 €), vihen në pranga 2 shtetas kinezë.
Si rezultat i hetimeve është identifikuar bashkëpunëtori i 2 shtetasve kinezë, posedues i llogarisë kriptofinanciare në Hong Kong, ku u transferuan kriptomonedhat e shtetasit shqiptar.
Vihen në hetim shtetasi që u mashtrua, si dhe 2 shtetas të tjerë, për përfshirje në mënyrë të kundërligjshme, në këtë aktivitet financiar. Sekuestrohen 10 000 euro që kishin siguruar 2 të arrestuarit, për të mashtruar shtetasin shqiptar, që të bënte transaksionin, si dhe 5 celular.
Si rezultat i punës hetimore dhe operative të kryer me objektiv parandalimin dhe goditjen e krimeve kibernetike dhe rasteve të mashtrimit të qytetarëve në këtë fushë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike të Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1 finalizuan operacionin “Scam platform”, gjatë të cilit:
-u arrestuan shtetasit kinezë, X. Zh., 20 vjeç dhe X. Zh., 58 vjeç, të dy banues në Tiranë;
-u proceduan penalisht shtetasit A. S., 30 vjeç, J. Sh., 30 vjeç dhe A. Zh., 25 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se 2 shtetasit kinezë i kanë dhënë në ambientet e një lokali, 10 000 euro, shtetasit A. S., në këmbim të kriptomonedhave që ka patur ky i fundit, në llogarinë e tij kriptofinanciare. 2 të arrestuarit i kanë transferuar kriptomonedhat, në llogarinë e bashkëpunëtorit të tyre, në Hong Kong, por e kanë mashtruar 30-vjeçarin se transaksioni nuk ishte kryer dhe për këtë arsye ia kanë rimarrë 10 000 eurot. Bashkëpunëtori i 2 shtetasve kinezë është identifikuar, por për shkak të hetimit ende në vijim, nuk bëhen të njohura gjenealitetet e tij. Ndërkaq, për 3 shtetasit e tjerë nisi procedimi penal, mbi dyshime se janë përfshirë ilegalisht, në administrim dhe këmbim kriptomonedhash.


