Në dosjen e SPAK në ngarkim të vëllezërve Çopja në Elbasan, personazhet e botës së krimit i druhen arrestimeve, por edhe dekonspirimeve nga njëri-tjetri, aq sa bëjnë plane për të vrarë njerëz me të cilët dikur bashkëpunonin në ngjarje të rënda kriminale.
I tillë është dhe rasti i Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës, bashkëpunëtorë në disa ngjarje kriminale, të cilët më pas thurën plane dhe për eleminimin e njëri tjetrit.
Në një bisedë në SKY me shtetasin Kristal alias Elton Basha, Nuredin Dumani, shprehet se Talo Çela, gjatë një interviste televizive, i ka dhënë policisë indikacione se ku duhet të kërkojnë për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës.
Në një moment gjatë bisedës me Bashën, Nuredin Dumani ka treguar për një pazar me shtetasin Mikael Qosja, i cili i kishte kërkuar që të vriste një person (i identifikuar më vonë si Erion Alibej) kundrejt shumës së 2 mln eurove. Mirëpo në këmbim Dumani i kishte kërkuar “kokën e Talo Çelës”, si dhe shumën prej 1.5 mln eurosh. Këtu ka nisur dhe krisja mes Dumanit dhe Qosjas, për shkak se ky i fundit nuk ka rënë dakord për marrëveshjen, që të vriste Talo Çelën, përkundrejt krimit që do të kryente i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani.
“Më datë 04.08.2020, poseduesi/përdoruesi i Kodit Pin Sky EÇ YR2N3M Nuredin Dumani, komunikon me përdoruesin/poseduesin e Kodit Pin Sky EÇ UTBPPE Elton Basha, të cilit i tregon se, Talo Çela nëpërmjet intervistës i ka dërguar mesazh policisë se ku duhet të kërkojnë.
Më pas Nuredini shprehet se ka 4 muaj që po e kërkon Talo Çelën për ta vrarë, për këtë ka biseduar edhe me marokeninin (ku i referohet shtetasit Mikael Qosja, alias Kel Kamami), të cilit i ka treguar se vrasjen e Dorian Shkozës, Anxhelo Avdisë dhe vëllezërve Haxhia i ka kryer Nuredini sepse Miri (Besmir Haxhia), Altin Ndoci bashkë me Talon do të vrisnin Nuredinin dhe vëllain e tij Dashin.
Mikael Qosja i ka thënë Nuredinit të lumtë dora por na prishe punë se ato i kishim gjuajtës të mirë. Më pas, Nuredin Dumani i tregon Elton Bashës se, Mikael Qosja, i ka kërkuar një nder për një x person kundrejt shumës prej 2.000.000 Euro, ndërsa Nuredini i ka kërkuar 1.500.000 Euro dhe Talo Çelën të gjallë ose të vdekur.
Mikaeli nuk ka pranuar dhe i ka thënë Nuredinit se do ia jepte Talon pasi Nuredini të kishte mbaruar punë me personin x. Nuredini shpjegon se nuk ka rënë dakord me Kelin të cilit i ka kërkuar Talo Çelën dhe 500.000 Euro kapar. Keli nuk ka pranuar dhe i është lutur Nuredinit që ta falë Talon dhe “të bëhen sërish miq”, thuhet në dosje.
Si pasojë e krisjes, mes tyre, Dumani është hakmarrë ndaj Qoses, duke i vrarë dy nga njerëzit e tij më të afërt, Emiliano Ramazanin dhe Regis Runajn.
“Nuredini ka debatuar me marokenin (Mikael Qosen), të cilit në fund i ka thënë: “o Kel unë jam burrë dhe do ta mbaj fjalën meqë do luftë me mua do të vras njerëzit e tu më të afërt”. Keli i ka thënë “pushka top tu bëftë”. Më pas Nuredini i tregon Eltonit se pas një muaji nga diskutimi me marokenin (Mikael Qosen), i ka vrarë djalin e hallës dhe shokun me të ngushtë, në Elbasan, për të cilët sqaron se njëri është ekzekutuar me pistoletë ndërsa tjetri me thikë, ku i referohet viktimave (Emiliano Ramazani dhe Regis Runaj”)”, vijon dosja e siguruar.
Planet e Nuredin Dumanit, për të vrarë Talo Çelën, shpalosen dhe një një bisedë që ai ka pasur në SKY me të vëllanë e tij, Dashnorin. Nuredin Dumani paralajmëron të vëllanë, se mund të arrestohet nga policia, për shkak të deklaratave që Talo Çela ka dhënë në media. Nuredin Dumani i tregon të vëllait për pazarin e prishur me Qosen, që çoi më pas në hakmarrjen e tij.
Nuredin Dumani, i shprehet vëllait të tij Dashnor Dumani, të cilit i thotë se duhet ti kishin shfarosur Kelin, Talon dhe të tjerët pasi ata mund të kishin vrarë Nuredinin dhe Dashin nëse ky i fundit do kishte qenë në Shqipëri.
Nuredini i kërkon Dashit ta ndihmojë për të kapur Talo Çelën, për të cilin shprehet se është “bukë-shkelur dhe do ja marrë shpirtin”.
“Nuredini, i tregon Dashit se nuk ka qen me Talon dhe Altinin në vrasjet që ka kryer në Durrës, por mekaniku (ku i referohet Klevis Allës), ka përfshirë Talon dhe Altin Ndocin. Nuredini i tregon vëllait të tij Dashit se ka biseduar me Talo Çelën dhe Mikael Qosen, të cilët kanë akuzuar Nuredinin dhe Dashin për vrasjet.
Në vijim Nuredini e pyet vëllain e tij Dashnor Dumani nëse është i përfshirë në atentate në Elbasan. E pyet nëse është përfshirë te turku (vrasja e trefishtë e Bradasheshit).
Nuredini shprehet se, për këtë ngjarje thonë se kanë gjuajtur dy veta dhe Talo ka qenë shofer. Nga natyra e bisedës që Nuredin Dumani zhvillon me vëllain e tij Dashnor Dumani, kuptohet se në vrasjen e trefishtë të Bradasheshit ku është vrarë Endrit Alibej, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Duranay, kanë marrë pjesë Talo Çela, shofer i automjetit të përdorur në atentat, Altin Ndoci dhe Besmir Haxhia të cilët kanë qëlluar si dhe Dashnor Dumani, i cili në këtë bisedë del që ka marrë pjesë por nuk ka qëlluar”, thuhet më tej në dosje.


