Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet ndërkombëtare që përfshijnë 30-vjeçarin shqiptar Aldo Iamandi (Gjini), i dënuar me rreth tre vite burg për një incident të armatosur të ndodhur në fund të vitit 2020 në Luksemburg. Sipas mediave të huaja dhe burimeve hetimore, shqiptari konsiderohet një figurë kyçe brenda një rrjeti kriminal shqiptar të përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të kokainës drejt Holandës.
Konkretisht, Iamandi dyshohet se ka luajtur një rol qendror në trafikimin e 475 kilogramëve kokainë, të destinuara për portin e Vlissingen në Holandë. Hetimi po zhvillohet në kuadër të një bashkëpunimi të gjerë mes zyrave antidrogë në Belgjikë, Policisë Holandeze dhe autoriteteve të tjera ligjzbatuese europiane, duke përfshirë edhe elementë me precedentë të rëndë penalë për dhunë dhe armë.
Ngjarja që e çoi fillimisht në vëmendjen e autoriteteve ndodhi më 24 nëntor 2020, kur Aldo Iamandi hapi zjarr brenda një lokali shisha në Remich, në juglindje të Luksemburgut. Katër plumba plagosën rëndë një bashkëkombës të tij, i cili u godit në këmbën e majtë. Pas këtij episodi, ai u përfshi në listën e personave më të kërkuar nga autoritetet luksemburgase.
Përveç këtij rasti, 30-vjeçari dyshohet edhe për përfshirje në një tjetër shkëmbim zjarri të ndodhur në Tiranë në korrik 2021, ku mbetën të plagosur dy persona.
Iamandi u arrestua në dhjetor të vitit 2021 në Bruksel nga autoritetet luksemburgase. Hetimet e mëtejshme të zhvilluara nga strukturat belge dhe holandeze e identifikojnë atë si një nga “lojtarët” kryesorë brenda rrjetit shqiptar të trafikut ndërkombëtar të drogës, duke e lidhur jo vetëm me dhunën, por edhe me krimin e organizuar në nivel europian.


